Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në orën 12:30, do të niset për Hagë. Kështu është bërë e ditur nga burime brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Por, Qeveria nuk jep orar të saktë se kur do të udhëtojë drejt Holandës kryeministri në dorëheqje i Qeverisë së Kosovës.
Haradinaj do të udhëtojë për në Vjenë për të vazhduar më pas drejt kryeqytetit holandez. E gjatë një interviste dhënë mbrëmë për emisionin Pressing në T7, Haradinaj ka konfirmuar se sot do të niset për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Hagë.
“Po, nesër udhëtoj për në Hagë”, ka thënë Haradinaj. Ndërkohë nga zyra e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pranuar të flasin për detajet e fluturimit me arsyetimin se të dhënat për këtë punë ruhen për shkak të sigurisë.
Haradinaj, të premten e javës së kaluar, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar.
Kjo ishte edhe arsyeja që siҫ u arsyetua Haradinaj, e detyroi të jep dorëheqje të parevokuar nga posti i kryeministrit, pasi ai deklaroi se nuk dëshiron të shkojë në cilësinë e shefit të Qeverisë së Kosovës. /©Kabllogrami/