Haradinaj shkel me dy këmbë ligjin duke mbledhur Qeverinë e rënë, e presidenti vazhdon zvarrë

Një javë nga dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit të Kosovës, gjërat ende nuk kanë lëvizur drejt zgjidhjes së situatës së krijuar, ndërsa institucionet e vendit po vazhdojnë me punë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një javë heshtjeje politike, të enjten bëri të ditur se tek javën tjetër do të nisë konsultimet me partitë politike. Kështu së paku thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Kështu, presidenti vazhdon të injorojë thirrjet që sa më parë të shpallë zgjedhjet, duke konfirmuar tërthorazi zërat që pohojnë se intenca është që të gjendet mënyrë për krijimin e një qeverie të re, pa e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Kështu, Thaҫi duket se po i pret zgjedhjet për kryetar të LDK-së, për të parë nëse atij do të mund t’ia jepte postin e kryeministrit dhe për t’i siguruar kështu votat në Kuvend për kalimin eventual të një qeverie të tillë.

Mirëpo, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Mentor Bogaj mendon se cilido që zgjidhet kryatar i LDK-së, ka pak gjasa të hyjë në aranzhmane të tilla me Thaҫin për shkak të presionit të anëtarësisë së LDK-së, dhe përvojave jo të mira që kishin ata me Thaҫin në bashkëpunimet e deritashme.

Në anën tjetër, Zyra e kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj, të enjten konfirmoi raportimet e mediave se kryeqeveritari që dha dorëheqje të premten e kaluar do ta mbledhë Qeverinë e rënë vetëm një javë më pas, po të premten.

Kështu, Haradinaj duket se injoron tërësisht thirrjet e partive opozitare, por edhe vlerësimet e ekspertëve juridikë, që thonë se pas aktit të dorëheqjes së parevokueshme, të cilën e shpalli para një jave, ai dhe kabineti i tij do të duhej të pushonin automatikisht veprimtarinë qeverisëse. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment