Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se deri tash nuk ka parë asnjë dokument i cili do t’i vërtetonte marrëveshjen mes dy presidentëve për shkëmbim territoresh. Megjithatë, Haradinaj, i kujtoi presidentit Thaçi se deri tash Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar dy presidentë.
“Dy presidentë kanë shku në shpi kur kanë ra ndesh me kushtetutën. S’ka ndodh vendimi, unë retorikën nuk muj me çu në Gjykatë, s’kishin prit as tjerët, e kishin dërgu”.
Rezistenca e kryeministrit Haradinaj ndaj taksës ka bërë që të ketë lëkundje dhe deklarata kundërthënëse mes partnerëve të koalicionit qeverisës.
Kryeministri në Rubikon të KTV-së tha se qëndrimet e secilit prej bartësve të koalicionit qeverisës janë tashmë publike dhe nuk ka se çka të komentojë mbi to.
Ai thotë se Limaj e Veseli janë në pozitë të vështirë meqë vendimi për taksën u mor bashkërisht, derisa asnjëri prej tyre nuk dëshirojnë të prishin marrëdhënien Kosovë – SHBA. Por Haradinaj për vete, nuk e ka ndërmend të lëkundet sa i përket taksës. /©Kabllogrami/