Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se nëse SHBA-ja kërkon nga ai të heq dorë nga posti i kryeministrit, do ta bënte një gjë të tillë, por heqjen e taksës nuk do ta bënte as me kërkesën e aleatit kryesor të Kosovës.
“Po të vije amerikani e të më thotë, ‘Ramush, a po e lëshon detyrën’, unë largohem. Por nuk e çoj dorën ta heq taksën ndaj Serbisë, unë këtë e kam thënë që nuk e bëj”, tha ai në një intervistë për televizionin publik.
Tutje, Haradinaj foli edhe për mundësinë e largimit të SHBA-së nga KFOR-i dhe baza e Bondsteelit, duke thënë se SHBA-ja nuk i heq trupat e saj nga baza Bonsteel për taksën, por vetëm nëse këtë e kanë në plane të sigurisë së tyre.
“Nëse Amerika e ka në plan ta heq Bonsteelin, si me taksë si pa taksë do ta heqë, nëse nuk e ka në plan ta heq, nuk do ta heqë. Rrini të qetë sepse nuk do të ndodh kjo. Amerika e heq Bonsteelin vetëm nëse e ka në planet e veta që ta heq, por do të na bëjnë të zotë për t’u mbrojtur, pasi e kemi këtu kufirin me Rusinë. Nuk e heq për taksën. Nuk e them që nuk e ka thënë askush, por nuk bëhen këto punë për taksë”, tha ai, në intervistë për RTK, transmeton koha.net.
Kryeministri tha se i beson Amerikës për territorin e Kosovës, ndërsa shtoi se “rreziku është te ne, vetëm nëse ndonjë nga ne shkon e i rren. Rreziku nuk është Amerika, as Evropa, por rreziku jemi ne”.
Ai pohoi se është keq që aleatët qeveritarë janë ndarë për ta dëmtuar kryeministrin. Ai kërkoi nga të gjitha partitë në Kosovë që të bashkohen për taksën kundër Serbisë. “Le të dalin e të thonë se jemi bashkë dhe taksën nuk e heqim dhe do ta shihni se do të ndryshojë qëndrimi amerikan”. /©Kabllogrami/