Haradinaj për ‘Financial Times’: BE e shurdhёr, taksa erdhi pasi s’mbet rrugё tjetёr

Kryeministri ka thënë nё njё intervistё pёr prestigjiozen ‘Financial Times’ se ideja e lëvizjes së kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ka qenë “një plan i rrezikshëm për rajonin”, pёrcjell Kabllogrami

Kryeministri Haradinaj ka thënë se kanë filluar të merren masa kundrejt Serbisë, pasi zëri i Kosovës nuk është dëgjuar sa duhet në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për “Financial Times”, Haradinaj ka thënë se taksa 100 për qind ndaj Serbisë nuk ishte nga arroganca, por pasi s’kishte rrugë tjetër.

“Ne jemi ankuar në Komisionin Evropian gjithë këto vite që Serbia nuk po e respektonte CEFTA-n, nuk po i respektonte marrëveshjet e Brukselit dhe nuk po i respektonte premtimet e tjera të dhëna në tavolinë, por ata nuk ishin shumë të fokusuar te ne”, ka thёnё pёr FT krymeninistri kosovar.

Haradinaj i ka kërkuar BE-së që t’i marrë më seriozisht aspiratat e Kosovës për anëtarësim në union, për të evituar destabilitetin në rajon. Shefi i Qeverisë akuzon Serbinë se po zbaton interesat e Rusisë, për të sjellë tensione në rajon.

Kryeministri ka thënë se ideja e lëvizjes së kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ka qenë “një plan i rrezikshëm për rajonin”.

Ndërsa, Financial Times planin e ndarjes e përshkruan si ide të nisur nga presidenti Hashim Thaçi, Aleksander Vuçiq dhe të disa udhëheqësve evropianë.

Është absurde që ne të angazhohemi në këtë marrëveshje të këmbimeve territoriale, vetëm që Serbia ta njohë një fakt – që Kosova është shtet. Ne jemi njohur nga gjysma e Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar shefi i Qeverisë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment