Haradinaj “nikada”, SHBA-të mbajnë anën e ca tregtarëve e politikanëve vendas që s’munden pa Serbinë

Shtrohet pyetja përse Kosova gjithnjë duhet të lëshojë pe, derisa bërësit e gjenocidit na shtrëngojnë pa mëshirë lakun për fyti. Edhe më absurde bëhet kjo punë kur shtrëngimit të këtij laku i kontribuojnë edhe “miqtë” e Kosovës, shkruan Kabllogrami.  

Kryeministri Ramush Haradinaj edhe gjatë ditës së premte ka vazhduar të  mbajë qëndrimin parimor edhe përkundër presioneve, tash më të theksuara edhe nga SHBA-të, se taksa hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën.

Ai tha se ai i ka propozuar komisionarit për zgjerim, Johaness Hahn, të bëjë gati një zgjidhje për kapitullin ekonomik, porse ai kapitull ndërlidhet me kapitujt e tjerë që duhet t’i përfshijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ku patjetër duhet të jetë edhe marrëveshja për njohje.

Ai ka thënë se janë gati ta pezullojnë taksën përkohësisht, për një konferencë ku do të nënshkruhej marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Tutje, kryeministri ka treguar se Kosova ka kushte edhe ndaj vendeve aleate, Amerikës e Evropës. Haradianaj tha se veprimet të tjera ndaj Serbisë janë ndalur duke respektuar letrën e presidentit amerikan, por nuk ka mohuar se mund të ketë masa të tjera ndaj Serbisë.

Pak kohë pas këtyre deklarimeve të kryeministrit, me një deklaratë të fuqishme ka dalë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Kjo ambasadë ka bërë edhe njëherë thirrje që taksa ndaj Serbisë të hiqet, në të kundërtën kanë paralajmëruar pasoja.

Në këtë deklaratë, ndër të tjerash, thuhet se Kosova apo cilido mik tjetër i Shteteve të Bashkuara, nuk mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave strategjike të SHBA-së, pa u ballafaquar me pasojat për marrëdhënien bilaterale mes dy vendeve.

Amerikanët, tutje, kanë shtuar se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash dhe refuzimi për t’i pezulluar tarifat, shkojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment