Haradinaj në Facebook flet për takimin me zyrtarët amerikanë: Marrëveshja vetëm me njohje në kufijtë ekzistues

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkely, ka thënë se Kosova është e interesuar për marrëveshje finale me Serbinë. Në një postim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se marrëveshja duhet të jetë vetëm me njohje në kufijtë ekzistues të Kosovës.

“Në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, së bashku me presidentin e vendit tonë, theksova se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj. Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Duke komentuar indirekt vendimin për taksën, Haradinaj ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet ta rregullojë edhe tregtinë e lirë. Kryeministri krejt në fund ka shkruar se Kosova i mbetet besnik miqësisë me Amerikën.

“Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj. I mbetemi besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërëndimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Ramush Haradinaj. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment