Haradinaj ka dhënë nga 300 euro bonus për Vitin e Ri për shërbyesit civilë

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka vazhduar me praktikën e nisur që në marrje të mandatit për shpërndarje të pakontrolluar të mjeteve financiare.

Siç mëson KTV-ja, rreth 50 shërbyesve civilë, punonjës në Qeveri janë shpërblyer në fund të vitit të kaluar me nga 300 euro.

Kjo shumë e parave u është dhënë shërbyesve civilë, të cilëve nuk u është rritur paga, në kohën kur kryeministri Haradinaj ia rriti vetes pagën 100 për qind.

Ka dy ditë që KTV-ja ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit detajet e këtij vendimi, por kanë thënë se një përgjigje të detajuar do ta bëjnë gjatë së mërkurës.
Megjithatë, zyra e Haradinajt ka konfirmuar shpërndarjen e parave, duke e quajtur praktikë të zbatuar gjatë viteve të fundit. Por, KTV-ja kupton se shuma, viteve të mëparshme ka qenë 100 euro.

“Është formë e pagesës që është praktikuar në 7 vitet e fundit. Për dallim, këtë vit përfitues të saj ka qenë një numër më i vogël i punonjësve dhe ata të cilët nuk kanë pozita udhëheqëse. Në këtë pagesë, nuk janë përfshirë personat që kanë pasur rritje të rrogës dhe as stafi politik. Bëhet fjalë për rreth 50 persona dhe për shumën e saktë dhe numrin e saktë të përfituesve, mund t’ju njoftojmë nesër. Të gjitha pagesat në Zyrën e Kryeministrit bëhen përmes bankës”.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, ka thënë përmes telefonit se ky vendim i Qeverisë është tentim për ta blerë qetësinë sociale.
Sipas tij, të gjithë shërbyesit civilë që kanë qenë të pakënaqur me vendimin për rritje të pagave, Qeveria i ka rehabilituar me nga 300 euro.

Në dhjetor të 2017-s, kryeministri Haradinaj me një vendim të shumë-kontestuar, ia rriti pagën vetes 100 për qind, në 2950 euro.

Rritje të pagës përfituan edhe zëvendëskryeministrat, këshilltarët dhe punonjës të tjerë të Qeverisë.

Ky vendim për rritje të pagave, kishte ngjallur pakënaqësi te shërbyesit civilë të administratës së Qeverisë, të cilët kishin hyrë në grevë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment