Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar të martën Britaninë e Madhe, për qëndrimin që ka shfaqur kundër idesë së ndryshimit të kufijve të Kosovës.
“Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, si dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej”, kishte deklaruar së fundi ministri britanik për Evropë, Sir Alan Duncan, duke shprehur qëndrimin zyrtar të shtetit të cilin e përfaqëson.
Nëpërmjet një postimi të publikuar dje në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se është “mirënjohës dhe falënderues për qasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj”.
“Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë, Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj e di që kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, por lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme. “E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka thënë Haradinaj në Facebook. /©Kabllogrami/