Haradinaj akuzon Thaçin e Ramën për idenë e dhënies së tokës për njohje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, se qëndrojnë prapa idesë së dhënies së tokës për të fituar njohjen nga Serbia.

Në një intervistë për televizionin publik, Haradinaj ka theksuar se çdoherë e ka pasur një kusht të sinqertë, duke pohuar se në çdo vend e ka kundërshtuar kushtin, që njohja të blihet duke dhënë tokë.

Po ashtu ai pohoi se është lënë të kuptohet në shumë raste që presidenti ynë dhe pastaj kryeministri Rama, e kanë përkrahur idenë e dhënies së tokës për njohje.

Ai ka deklaruar se në çdo takim e ka këshilluar presidentin që të mos e vazhdojë këtë ide, sepse do të sjellë tragjedi për tërë popullin.

“Kushdo që hap temën e ndarjes, është armiku im. Këtë e kam thënë në takime, jo pas shpine. E kam bërë edhe me presidentin, edhe në takime tjera”, tha ai, dhe shtoi se lëvizja e kufijve është agjendë e Rusisë, sepse e njëjta ka agjendë për lëvizjen e kufijve në Ballkan.

Kreu i ekzekutivit kosovar pohoi se nuk rrezikohen marrëdhëniet me Amerikën sepse kërkesa e tyre është pezullimi i taksës. Ai tha se taksa është shfrytëzuar për ta dëmtuar udhëheqësin e Qeverisë, “të më dëmtojnë mua”, përcjell koha.net.

“Amerika është si vëllai i madh, sepse po na teston deri ku mund të këmbëngulim ne”, tha ai.

I pyetur se pse nuk po e dëgjon kërkesën e amerikane për taksën, ai tha se nuk lëshon pe para Serbisë dhe Rusisë.

Ai po ashtu tha se ekziston një bindje që ka një paramarrëveshje, por që atë nuk e ka parë dhe nuk ka si të ecë përpara pa e parë marrëveshjen.

Kryeministri është shprehur edhe njëherë se taksa nuk hiqet pa njohje të Kosovës nga Serbia. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment