Greva në arsim që nis sot, sipas SBASHK-ut mund të zgjasë me muaj të tërë

E hëna e 14 Janarit është dita kur duhej të fillonte gjysmë-vjetori i dytë në shkollat e Kosovës. Por një gjë e tillë s’do të ndodhë, pasi e hëna do t’i gjejë në grevë të gjithë mësimdhënësit të cilët po kërkojnë rritje të koeficientit të pagave për 30%, raporton Kabllogrami.

Përfaqësues të SBASHK-ut që organizuan grevën, ditë më parë kanë mbajtur takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, pas ultimatumit që i kanë dhënë Qeverisë për rritje të koeficientit. E, deri në realizimin e kërkesës së tyre për ngritje të pagës, dyert e të gjitha institucioneve të arsimit do të mbesin të mbyllura, raporton KTV.

SBASHK-u thotë se greva, e cila do të fillojë të hënën, është rezultat i pagave dhe kushteve diskriminuese që kanë mësimdhënësit. Ajo, sipas saj, mund të zgjasë me muaj.

Madje, Jasharaj thotë se problemi i tyre mund të zgjidhet shumë shpejt, por nuk po ka interesim për plotësim kushtesh nga Qeveria.

Jasharaj thotë se greva, është përkrahur nga të gjitha institucionet e arsimit, e fajin, sipas tij, për humbjen e mësimit, do ta mbajnë institucionet qeverisëse.

Mirëpo, vendimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po merr kritika të shumta nga njohës të çështjeve të arsimit. Një vendim i tillë, sipas tyre, po merret vetëm për interesa personale, e jo për ngritjen e cilësisë në arsim.

Greva, e cila do të fillojë sot më 14 janar, do të vazhdojë në afat të pacaktuar. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment