Greva në arsim hyn në javën e dytë: Për nxënësit askush nuk mërzitet

Edhe të hënën ka vazhduar greva në të gjitha institucionet e arsimit publik në Kosovë. Greva ka hurë në javën e dytë, derisa SBASHK-u ka paralajmëruar radikalizim të grevës, ndërsa Qeveria s’pranon kushtëzime, e ata që po vuajnë më së shumti në këtë ‘absurditet shoqëror’ janë nxënësit, shkruan sot Kabllogrami.

Në SBASHK thonë se nuk kanë arritur marrëveshje me institucionet për ngritje të koeficientit.
Sipas tyre, mësimdhënësit janë në shkallën më të ulët sa i përket koeficienteve, e që është ofenduese për ta.

Ymer Ymeri, anëtar i Këshillit Grevist në SBASHK, paralajmëron se greva mund të zgjasë me muaj, si rezultat i mosgatishmërisë së institucioneve për t’i plotësuar kërkesat e mësimdhënësve. Përveç kësaj, greva do të vazhdojë me radikalizim të masave. Ymeri është shprehur pesimist për arritjen e një kompromisi të shpejtë me Qeverinë.

Në SBASHK thonë se do t’i padisin të gjithë ata që bëjnë presion për ndërprerjen e grevës. Kështu kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili kishte thënë se do të gjejë mësimdhënës vullnetarë për ta vazhduar mësimin, që për SBASHK-un konsiderohet presion ndaj grevistëve, rrezikon të paditet nga sindikata e arsimit.

Por, kritikat ndaj grevistëve kanë qenë të shumta, pasi që nxënësit po vuajnë e po pësojnë më së shumti. Derisa, qëndrimi i SBASHK-ut se nuk do të mbahen orë plotësuese për orët e humbura të mësimit si pasojë e grevës edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje për ndërprerje të grevës, ka irituar tej mase prindërit.

E, në Qeverinë e Kosovës kanë treguar se janë duke punuar në Ligjin e Pagave në mënyrë që përmes tij të rregullohet edhe kjo çështje. Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se presioni dhe vendosja e kushteve nga grevistët nuk prodhon zgjidhje.

Greva e mësimdhënësve ka filluar më 14 janar me kërkesën bazë për rritjen e koeficientit për paga prej 30%. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment