Gjukanoviq takohet me shefin e NATO-s: Mali i Zi për një marrëveshjeje pozitive Prishtinë – Beograd

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, është takuar sot me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin kanë biseduar rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje pozitive ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, zgjidhja e problemit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit është një përvojë tepër e mirë dhe si e tillë duhet të shfrytëzohet edhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë, shkruan agjencia serbe e lajmeve ‘Tanjug’.

“Mua më duket se përvoja në zgjidhjen e problemit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë mund të jetë shumë e dobishme për zgjidhjen e problemeve të natyrave të ngjashme, si në rastin e Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Gjukanoviq.

Ai thotë se shteti që drejton është i interesuar që të arrihet një zgjidhje pozitive ndërmjet dy shteteve.

“Ne dëshirojmë të ndihmojmë që ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të arrihet një marrëveshje pozitive që do të vendoste stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar Gjukanoviq. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment