Dy kundërshtarët e idesë së Thaçit e Vuçiqit për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ilir Meta dhe Milo Gjukanoviq, kanë thënë se marrëveshja Prishtinë – Beograd nuk duhet të rrezikojë sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, janë pajtuar sot në Podgoricë se epilogu i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë si rezultat i një marrëveshjeje e cila nuk do rrezikojë stabilitetin e rajonit, që nënkupton se prekja e kufijve s’duhet në asnjë rrethanë të jetë opcion i marrëveshjes.
Presidenti shqiptar Meta ka thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i një rëndësie të veçantë, shkruan RTCG, transmeton Gazeta Express. Presidenti shqiptar është duke qëndruar për një vizitë dyditore në Mal të Zi. Ai atje është pritur me nderimet më të larta shtetërore.
Për vendimin e Metës që të mos e dekretojë Gent Cakajn në postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë thuhet se është marrë pikërisht për qëndrimet e Cakajt pro korrigjimit të kufijve.
Edhe presidenti malazez Milo Gjukaonviq vazhdimisht ka përsëritur qëndrimet e shtetit të tij kundër korrigjimit të kufijve. /©Kabllogrami/