Gazetari i “Bild”-it pyet Ramën: Më akuzon se publikova videot reale?

Pas padisë që kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri gazetarit Peter Tiede, ka ardhur reagimi i gjermanit. Përmes një komenti të shkurtër, Tiede pyet Ramën për motivacionin e padisë.

“Dhe pse më akuzoni ju mua? Për publikimin e audio-përgjimeve reale të Bild-it”, e pyet gazetari gjerman kryeministrin shqiptar.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryeministri Rama ka paditur zyrtarisht në gjykatat gjermane gazetarin Peter Tiede.

Kryesocialisti ka njoftuar sot se ka autorizuar avokatin gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e gazetës “Bild”, duke shtuar se u mbetet atyre të vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj, transmeton koha.net.

“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e Bild! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”, shkruante Rama. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment