Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll, konkurrenca e meshkujve, po vazhdon përgatitjet intenzive për Botërorin që nis pas pak ditësh në Spanjë. Kosova fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në këtë botëror pasi që fitoi turneun ‘IHF Trophy Intercontinental’ dhe si e tillë llogaritet ndër më të dobëtat e ngjarjes, pra autsajdere në mesin e 24 përfaqësueseve më të mira botërore, pjesëmarrëse në këtë kampionat.
Planet e Kosovës janë që të paraqitet sa më denjësisht dhe të prishë planet e përfaqësueseve të mëdha, por edhe nëse nuk merr rezultate të mira, të paktën do të marrë trajtim të barabartë në një vend ku sportistët kosovarë deri më tash janë diskriminuar, e shpesh edhe penguar të garojnë, shkruan sot Koha Ditore.
E përditshmja e madhe spanjolle “AS” të enjten ia ka kushtuar një shkrim përfaqësueses së Kosovës, duke e titulluar “Kosova, një autsajdere e barabartë”.
Sipas ‘AS’, Kosova konsiderohet autsajdere për shkak të cilësisë së dobët që ka aktualisht dhe e barabartë pasi do të paraqitet me flamur e himn si të gjitha përfaqësueset e tjera, gjë që deri më tash në Spanjë nuk ishte e zakonshme për sportistët kosovarë.
Pa dyshim se vet ironia e gazetës së madhe spanjolle ‘AS’ mund të konsiderohet sukses domethënës për përfaqësuesën e Kosovës dhe vet Republikën e Kosovës. /©Kabllogrami/