Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është drejtuar opinionit përmes një postimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook, menjëherë pasi doli nga spitali ku qëndroi për kurim pas disa shqetësimeve shëndetësore që pati, shkruan Kabllogrami.
Ai, ka falënderuar të gjithë mjekët dhe infermieret në Klinikën Infektive si dhe ata të Emergjencës në QKUK, që janë kujdesur për të. Por, ai ka bërë me dije se ende nuk është shëruar plotësisht dhe që dy javët e ardhshme do të jetë në pushim për shkak të terapisë.
Në vijim mund ta lexoni të plotë postimin e Kurtit në Facebook:
“Sot dola nga spitali dhe jam mirë.
I falënderohem mjekëve dhe infermiereve në Klinikën Infektive si dhe në atë të Emergjencës në QKUK. Ishin mbi 50 orë të vështira por ndjehesha i sigurt me ta. Ju falënderohem edhe të gjithë juve që më keni dërguar mesazhe inkurajuese.
Infermieret Arbëria, Adelina, Arbenita, Merlina, Miradija, Vildanja, Elmerina, Amirja, Eminja dhe kryeinfermierja Lulja, nga Reparti i Intenzivës së Klinikës Infektive, si dhe mjekët Prof.Shemsedini, Dr.Nderimi e Drejtor Hamdiu, me dijen, përvojën dhe kujdesin e tyre, më nxorën nga kjo krizë shëndetësore. Ata ngadhënjyen mbi sëmundjen time, përkundër kushteve të tyre të punës.
Isha i sëmurë, ende nuk jam shëruar. Dy javë pushim e vazhdim i terapisë janë të nevojshme. Por, më vjen turp të them se isha i sëmurë kur kam parasysh e s’i heq dot prej mendjes pacientët e tjerë aty, në gjendje të rëndë, disa edhe shumë të rëndë. Uroj që t’ia dalin të gjithë, të shërohen e të bëhen sa më mirë. Dëshiroj më të mirën për ta e për familjarët e tyre, dhe e di se mjekët e infermieret do të vazhdojnë përditë të shërbejnë me përkushtim për të gjithë të sëmurët”, ka shkruar Albini. /©Kabllogrami/