Fitore Pacolli, deputetja e Vetëvendosjes, ka thënë se ekipi negociator për dialogun me Serbinë përbëhet nga njerëz që s’kanë legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën dhe se ky ekip vetëm do të thellojë mosmarrëveshjen me Serbinë.
Duke folur pas takimit të parë të ekipit të udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, Pacolli ka thënë në Express Intervistën në KTV se “nga Kosova 12 burra udhëtuan duke shpenzuar buxhetin e Kosovës vetëm për t’u njoftuar me Mogherinin”.
Sipas saj, nga ky takim s’doli asgjë konkrete. Ajo ka thënë se partitë që kanë përfaqësues të tyre në këtë ekip, nuk mund të kalojnë pragun.
“Për të marrë vendim për të ardhmen e Kosovës duhet të kesh legjitimitet. Asnjë person në atë ekip nga Kosova, nuk ka legjitimitet të jetë aty. Këto parti as pragun nuk e kalojnë. Ahmeti ka shkuar në një vizitë si pjesë e delegacionit, përfaqësoi Kosovën, me votat që ka marrë në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje. S’ka kandiduar kurrë i vetëm për të marrë legjitimitetin. E kemi Fatmir Limajn. Sa për qind të votave ka marrë ai… Këta zëvendësojnë Edita Tahirin. Punën që e ka bërë ajo ne e kemi kundërshtuar, ndërsa këta janë tash zëvendësues të saj. Personi kryesor që merret me marrëveshjen është Thaçi, këta janë patericë”, ka thënë ajo.
Ajo ka vazhduar se ky ekip nuk tregon unitetin e shtetit.
Sipas saj, nëse është diskutuar se Kosova dëshiron që t’i bashkohet Lugina e Preshevës, duhet të ketë patjetër përfaqësues të Luginës në ekip.
“Nëse paraqitesh në një takim të tillë në arenën ndërkombëtare me 11,12 burra. Ajo tregon se s’ka unitet, sepse janë njerëz të partive të vogla që s’e kalojnë pragun. E kemi edhe kryetarin e qytetit. Në cilin qytet në Evropë është kryetari i komunës që merret edhe me punë të tjera. Ndonëse ka deklaruar se puna e tij kryesore është Prishtina, i bie që ekipi është dytësore. Të mos merret me punë dytësore me Kosovën. Është shumë e rëndësishme për ne. Është jetike. Presidenti gjatë verës, nëse dëshironte ta shtynte marrëveshjen që e quante të dhimbshme, e ku mendohet të ketë korrigjim kufijsh, u mendua ta mbulojë duke thënë që Lugina duhet t’i bashkëngjitet Kosovës, edhe pse e dimë të gjithë se është e pamundur. S’duhet të ndalemi kurrë së kërkuari, por Thaçi duke e pa se s’mundet i vetëm ta mbulojë angazhoi partitë tjera, e ashtuquajtur ekip shtetëror. Kush po e përfaqëson Luginën. Do të kishte logjikë që të ishte dikush i Preshevës, por është kryetar i kryeqytetit, kë e përfaqëson Prishtinën? Nëse flisni në emër të Preshevës, inkuadroni edhe ata. Bëni një marrëveshje me shqiptarët e Luginës. Marrëveshje me shkrim ku kërkon dhe do të bësh çmos që ato komuna t’i bashkohen Kosovës”, ka shtuar Pacolli.
Sipas Pacollit, aktualisht është Serbia ajo që duhet të ngutet për marrëveshjen që të hapë kapitujt për integrim në BE dhe jo Kosova. Ka thënë se ekipi negociator po bazohet në letrën e presidentit amerikan Donald Trump që Kosova të ketë ekip uniteti, por “ne nuk kemi unitet”, ka thënë ndër të tjera Fitore Pacolli. /©Kabllogrami/