Filmi “Cold War”  triumfon në “European Film Awards”

E realizuar në bardhezi nga regjisori Pawel Pawlikowski, është kthyer në shtëpi me pesë trofe, nga ceremonia që ndan çmimet evropiane të filmit. Filmi “Cold War” ka dalë fituesi më i madh i mbrëmjes kur u ndanë çmimet e edicionit të 31-të të “European Film Awards”, transmeton Kabllogrami.

Në mesin e pesë çmimeve që ka marrë ky film, në ceremoninë e së shtunës mbrëma, është edhe çmimi për filmin më të mirë, aktoren, regjinë e skenarin më të mirë si dhe një çmim që shpërblen aspektin teknik të realizimit të filmit, që iu nda montazherit.

Regjisori polak, Pawel Pawlikowski, ia dedikoi çmimin e parë të mbrëmjes prindërve të tij, rrëfimi i të cilëve e kishte inspiruar ta realizonte dramën romantike bardhezi. Ylli i filmit “Cold War”, Joanna Kulig, e mori çmimin për aktoren më të mirë.

Pas këtij suksesi, janë rritur pritjet që “Cold War” t’i ndjekë hapat e filmit të mëparshëm të Pawlikowsit, “Ida”, që kishte marrë pesë çmime nga “EFA” më 2014 dhe kishte mbërritur deri tek triumfi në “Oscars”, ku mori çmimin për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, dy muaj pasi triumfoi në ceremoninë evropiane të filmit.

“Cold War”, do të nisë të shfaqet në kinematë amerikane nga 21 dhjetori, dhe është përfaqësuesi i Polonisë në “Oscars” sivjet për filmin më të mirë të huaj.

Çmimi për arritje në botën kinematografike sivjet iu nda Ralph Fiennes, ndërsa ai për arritje jetësore shkoi për Carmen Maura. Edicioni i 31-të i “European Film Awards”, zuri vend në “Teatro de la Maestranza” në Sevilla të Spanjës. Fituesit e këtyre çmimeve përzgjidhen nga më shumë se 3 mijë e 500 anëtarë të Akademisë Evropiane të Filmit, që përfshin profesionistë filmi nga e gjithë Evropa/ Hollywood Reporter /©Kabllogrami/

 

Comments (0)
Add Comment