Filharmonia e Kosovës mbrëmë mbajti koncertin e radhës, të dytin për muajin janar që iu kushtua i tëri kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, në kujtim të 263 vjetorit të lindjes.
Në këtë koncert që për dirigjent kishte polakun Dariusz Mikulski, i cili për herë të parë punonte me Filharoninë e Kosovës, la të gjithë gojëhapur për faktin që Mikulski kishte arritur aq shumë të afrohej e të përshtatej me orkestrën sa që hetohej në çdo vështrim e drejtim të shkopit të tij të dirigjimit. Qëndrimi i tij reflektonte përqendrim, e përcillej me buzëqeshje, krahas lëvizjeve të duarve, e krejt qenia e tij dukej sikur vallëzonte natyrshëm nën ekzekutimin e veprave.
Mozarti rrugën e kompozimit e nisi qysh në moshën 5 vjeçare e me gjithsej 35 vite jetë arriti të sjell rreth 600 kompozime. Rrugëtimi muzikor tek publiku në Prishtinë, mbrëmë nisi me veprën Uverturë nga opera “Flauti magjik”, K.620 , vepër kjo që premierën e pati në vitin 1791 në Vjenë, dy muaj para vdekjes së Mozartit.
Dirigjenti Daruisz Mikulski i cili dirigjoi veprën e parë, në veprën e dytë u kthye me korno, për ta zhytur publikun në gërshetimin e tingujve të kornos së tij me orkestrën, në veprën Koncert për korno dhe orkestër nr.2 në Es-dur, K.417, vepër kjo e përfunduar në vitin 1783 nga Mozarti. Dirigjenti polak Dariusz Mikulski nuk kishte asnjë pushim në mes veprës, kur i ndahej kornos, përqendronte duart drejt orkestrës, kështu duke iu kthyer edhe rolit të dirigjentit, shkruan kultplus.
Pas dy veprave të Mozartit që dukej se ecnin me tingujt e paqes së kompozimeve të Mozartit, mbrëmë për publikun prishtinas erdhi premierë vepra “L’Angelica Farfalla” e kompozitorit Enjott Schneder, posaqërisht për trumpetistin Sauter. Trumbetisti Otto Sauter nga Gjermania, është një ndër solistët lider botëror në instrumentin e trumbetës, dhe si specialist në pikolo, ai është prezantuar në të gjitha sallat e mëdha botërore. Edhe pse ka luajtur edhe më parë si solist në Prishtinë, për Sauter ky ishte bashkëpunimi i parë më orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
Trumbetisti Otto Sauter është në Kosovë për herë të tretë. Ai ka thënë se për të realizuar këtë koncert, studentët kosovarë kanë ushtruar me përkushtim për orë të tëra duke filluar nga ora 5:45 e mëngjesit dhe vullneti e talenti i tyre e ka impresionuar atë.
Pas kësaj vepre publiku u kthye përseri tek Mozarti ku publiku u përqendrua në Simfoninë No.4 në C-dur, K-551- Jupiter. Kjo vepër nga fundi ecën me një ritëm më të shpejtë, ndërsa energjia e dirigjentit dhe e orkestrës vetëm se e përcillnin veprën deri në momentin kur instrumentet ulën, e dirigjenti Mikulski ngrit duart lart.
Si konkuzë, koncerti doli të jetë realiziuar me sukses dhe kënaqi me emocione të shumta publikun prezent. Edhe për këtë koncert, Filarmonia e Kosovës ka shpërndarë falas biletat.
Koncerti i radhës nga Filharmonia e Kosovës është i paralajmëruar të mbahet më 3 mars ndërsa do të sjell përsëri para orkestrës dirigjentin Gregory Charette. /©Kabllogrami/