Basketbollistët e Prishtinës sonte në kryeqytet e presin ekipin Verese – me traditë të madhe në basketbollin Italian dhe Evropian. Ndeshja fillon në ora 20:30, derisa trajneri i Prishtinës në përpjekje për motivim maksimal të ekipit ka lansuar moton ‘PR të gatshëm për më shumë’. Ndihma e plisave sonte vlerësohet si kruciale për Prishtinën, shkruan Kabllogrami.
Trajneri i Z Mobile Prishtinës, Damir Mullaomeroviq, u fokusua në moton e klubit “PReady for more” dhe shtoi se bardhekaltrit janë të gatshëm për fitore, në mënyrë që të vazhdojnë rrugëtimin në FIBA Europe Cup.
Mullaomeroviqi insistoi se Prishtina mund ta mposhtë një ekip të madh si Varese, nëse luftojmë për çdo top gjatë ndeshjes dhe duke aplikuar një mbrojtje të fortë.
“Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, pasi luajmë me një ekip të madh që ka histori të madhe. Jemi të përgatitur dhe atmosfera është e mirë në klub pas suksesit në Kupën e Kosovës”, shtoi Mullaomeroviq. “Pres që palestra të jetë e mbushur dhe kur është kështu, atëherë kemi rast për fitore. Do të luftojmë gjatë tërë ndeshjes për ta mposhtur një ekip si Varese”.
Varese është ekip me traditë në basketbollin italian dhe evropian. Në Itali ka fituar dhjetë tituj kampioni, katër kupa dhe një Superkupë. Titullin e fundit e ka fituar para dy dekadash (1998/99), njofton koha.net.
Në Evropë ka triumfuar pesë herë, për herë të fundit më 1975. Varese, në fund të viteve ’60 dhe fillim viteve ’70, ka dominuar basketbollin në Evropë, duke fituar pesë tituj kampioni.
Në edicionin 2015/16 ka arritur deri në finale të FIBA Europe Cup, por ka pësuar nga Fraport Skyliners (Gjermani). /©Kabllogrami/