Facebook forcon kontrollin për reklama politike në prag të zgjedhjeve në BE

Rrjeti më i madh social në botë, Facebook, tha se do t’i forcojë rregullat dhe masat mbrojtëse në lidhje me reklamat politike “për të parandaluar ndërhyrjen e huaj” në zgjedhjet në Evropë dhe gjetkë.

Mjetet shtesë do të lansohen në Bashkimin Evropian në fund të marsit, për të ndihmuar në transparencë më të madhe të reklamave politike në Facebook, tha udhëheqësi i komunikimeve në gjigantin e teknologjisë, Nick Clegg.

Rregullat e reja do të kërkojnë që reklamat politike, të lidhura me zgjedhjet e BE-së në maj, “të autorizohen”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Clegg, ish-zëvendëskryeministër i Britanisë, i cili është punësuar në Facebook në tetor, tha të hënën në Bruksel se këto rregulla do të mbulojnë reklamat që “nuk mbështesin në mënyrë të qartë një kandidat apo parti politike, por që fokusohen në tema shumë të politizuara, si migracioni”.

Në një blog të vetin, rrjeti më i madh social në botë tha se “mjetet e transparencës për reklamat zgjedhore do të lansohen në Indi në shkurt dhe në Ukrainë dhe Izrael përpara zgjedhjeve të tyre, ndërsa do të zgjerohen globalisht para fundit të qershorit”.

“Masat janë të ngjashme me ato të miratuara për zgjedhjet për Kongresin e SHBA-së në nëntor të vitit 2018”, tha Clegg.

Facebooku është kritikuar gjatë dy vjetëve të fundit për veprim të pamjaftueshëm për të luftuar lajmet e rreme, operacionet propagandistike dhe përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste në platformat e tij./rel/©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment