Veprimtari i shquar dhe njëherit pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ish atasheu ushtarak i Kosovës në Shqipëri, Enver Dugolli, përmes një postimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ka ngritur dilemat dhe dyshimet për arsyet e vërteta të dorëheqjes së Haradinajt nga posti i Kryeministrit, raporton Kabllogrami
Ai përmes këtij shkrimi ka shtruar disa pyetje retorike ku nuk mungon as cinizmi, në të cilën kërkon arsyet e vërteta të dorëheqjes së Haradinajt. Mes tjerash në elaborimin e kësaj ҫështjeje ai shtron pyetjet: A dha dorëheqje Haradinaj për të fituar vota më shumë duke përdorur prapë luftën dhe ndjeshmërinë e saj?, apo për të të tentuar të mbulonte skandalet e shumta në qeverisjen e tij?, apo edhe për t’i ikur rrëzimit të sigurt të qeverisë me mocion mosbesimi? Etj…etj…
Krejt kjo erdhi si shkas nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të AAK-së, të cilët po thonë se Haradinaj do të rikthehet fuqishëm si kryeministër nga zgjedhjet e rradhës.
Në vijim mund ta lexoni të plotë postimin e Enver Dugollit:
“Tani më të drejtë lindin pyetjet:
Cila mund të ishte arsyeja e vërtetë e dorëheqjes së Haradinajt:
Për të fituar vota më shumë duke përdorur prap luftën dhe ndjeshmërinë e saj?
Për të të tentuar të mbulonte skandalet e shumta në qeverisjen e tij?
Për t’i ikur rrëzimit të sigurt të qeverisë me mocion mosbesimi? Etj…etj…
Të gjitha janë të verteta, vetëm arsyeja e paraqitur nuk është dhe nuk mund të jetë. Sepse, nëse është kjo që na tha, e pse prap do kandidojë për kryeministër? A thua kjo gjykatë (gjithsesi e pa drejtë), paska mbaruar punë dhe po e shpallëka misionin e saj të përfunduar?
Fatkeqësisht asnjëra prej tyre. Kjo gjykatë vetëm sa ka filluar dhe nuk i dihet fundi. Shtrohet pyetja hipotetikisht, nëse Haradinaj do fitonte (të cilën as që e besoj), çka do bënte nëse e ftojnë prap? Prap do dorëhiqet?
Ky është proces dhe po sa ka fillu, këtë e dinë Haradinaj, këtë e dimë të gjithë, prandaj është mirë të tregohemi të sinqertë me popullin dhe ti themi atij arsyet e vërteta, e jo të shtiremi se aq shumë po e dashkëmi vendin dhe shtetin sa nuk mund të dalim para hetuesve në cilësinë e Kryeministrit!?
Sikur vetëm pak ta donte vendin dhe shtetin (të pakten çerekun e asaj që bëri gjatë luftës), së pari nuk do pranonte të hynte në kualicion me PDK-në të cilën e shante dhe akuzonte për shumë të kqija që i solli vendit. Nuk do e votonte demarkacionin për të cilin një kohë ishte (ashtu shtirej) i gatshëm të kallte flakë vendin. Nuk do merrte sa e sa vendime të dëmshme, por do jepte dorëheqje. Por jo, nuk e bëri atë sepse e donte shumë atë karrig të kryeministrit, sa që i shpëtuan edhe lotët. E kuptoj që tani më i erdhi fundi keq qeverisjes së tij dhe ofroj dorëheqjen. Njëjtë si Hashim Thaqi kur e rrëzonte veten. Mirëpo Hashim Thaqi e bënte këtë pasi e siguronte ndonjë marrëveshje që të vinte prap në pushtet, dhe ashtu ndodhte.
Uroj që mos të na përsëriten kurr më shabllonet e tilla qeverisëse të cilat i sollën vendit dëme tepër të mëdha, madhe disa të pariparueshme.”, ka shkruar Enver Dugolli në fund të postimit të tij. /©Kabllogrami/