Emërohet drejtori i ri i Arsimit në Komunën e Prishitnës

Shpresa Shala, drejtoreshë e deritashme në SHFMU “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë është emëruar në krye të drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, bën të ditur Kabllogrami.

Lajmin e ka bërë të ditur vet kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka njoftuar se Shala deri sot ishte drejtoreshë e shkollës “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ndërsa “në punën e saj ka arritur suksese të jashtëzakonshme, si në zbatimin e kurrikulës ashtu edhe në vendosjen e rregullit në shkollë, si dhe bashkëpunimin me Këshillin e Prindërve”.

“Edhe më me rëndësi, shkolla ka treguar rezultate në suksesin e nxënësve. I urojmë suksese në punën e mëtutjeshme në menaxhimin e arsimit në komunën tonë”, ka shkruar Ahmeti.

Përndryshe, sot në ambientet e SHFMU “Xhemajl Mustafa” në kryeqytet është organizuar një ceremoni përcjellëse për tashmë ish-drejtoreshën e kësaj shkolle, derisa nga kolektivi dhe nxënësit ajo u falenderua për punën e saj, duke i dëshiruar suksese të mëtejme në pozitën e re.

Shala zë vendin e Jonuz Salihajt që u shkarkua javën e shkuar me kërkesën e partisë së tij AAK-së, që kishte shprehur pakënaqësi me punën e tij, duke i kërkuar kryetarit të Komunës që ta largojë nga kjo pozitë. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment