Eliot Engel dyshon se Trump është bashkëpunëtor i Rusisë

Eliot Engel është pa dyshim mik i madh i Kosovës, i brumosur si i tillë që nga koha kur në ato mote të rënda të okupimit serbo-ugosllav, me popullin e Kosovës udhëhiqte presidenti historik i saj Ibrahim Rugova. Vetëm para pak ditësh, pasi mori pozitën e kryesuesit të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, ai mori urime e përgëzime nga Thaçi, të cilat Engel ia ktheu me dashamirësi.

Thaçi mbase i luhatur pak nga zgjedhja e Engel, i kërkoi këtij të fundit bashkëpunim për marrëveshjen finale me Serbinë, për të cilën para pak javësh Presidenti Trump u ofrua si sponsor dhe mbështetës, duke dërguar letra në Prishtinë dhe Beograd.

Por, pikërisht Engel, i cili gjatë një paraqitjeje me Thaçin në Washington refuzoi të flasë për korrigjimin e kufijve, është ai që ka hapur një front të madh kundër Presidentit Trump, i cili po e shtyn fort marrëveshjen finale me Serbinë në afat sa më të shkurtër, marrëveshja e cila sipas lobimeve dhe diskursit të Thaçit, Vuçiqit, Baton Haxhiut e Ivica Daçiqit, e qe besa edhe të Edi Ramës, nënkupton edhe ndryshim-tkurrje kufijsh për Kosovën.

Gazeta “The New Yorker” në një shkrim të gjatë të autores Susan B.Glasser, të cilin e sjell për editim në gjuhën shqipe gazeta express, shkruan se Engel ka plane që të krijojë një nënkomision që do të merret me hetimin e Presidentit Trump për bashkëpunimin e tij të dyshimtë me Rusinë. Ndër të tjera, Engel thotë se Trump i duket si praktikues i diplomacisë së ashtuquajtur “fluturo nga ulësja e pantallonave tu”, ndërsa thekson se qasja e tij e çrregullt ndaj politikës së jashtme ka dalë jashtë çdo binari dhe llogaridhënieje gjatë dy vjetëve të kaluar të udhëheqjes së “vulës” republikane në “Capitol Hill”. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment