Bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, të martën do të takohen në Bruksel, me këshilltaret e ndërmjetësueses së dialogut, Federica Mogherini. A po cilësohet ky veprim i Mogherinit si një përulje apo nënçmim që po i bëhet ekipit negociator – duke ia bërë me dije ekipit se janë të rangut të dytë në këtë dialog dhe s’kanë peshë reale, përveç mbështetjes teknike? Kjo mbetet të shihet!
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj që është edhe anëtar i Ekipit Negociator për bisedime me Serbinë, ka thënë se nuk dihen temat e takimit të nesërm në Bruksel.
Ai ka konfirmuar për Klan Kosova se dy bashkëdrejtuesit e këtij ekipi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, nuk do të takohen nesër me shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
“Takimi i nesërm ka karakter koordinues”, ka thënë Hoxhaj përmes telefonit.
“Limaj dhe Ahmeti nesër do të takohen me këshilltarët e Mogherinit dhe temat për të cilat do të bisedohet nuk dihen, nuk i dinë as pala serbe”, ka shtuar ai, duke u përgjigjur rreth raportimeve nga mediat serbe se heqja e taksës ndaj produkteve serbe nesër do të shtrohet në tavolinë. /©Kabllogrami/