Tiranë, 26 qershor “Gjyqi do bëhet në Gjermani, faturat do publikohen në Shqipëri dhe e vërteta për tërë atë çorbë të prishur që gatuat, për ta helmuar këtë vend e miqtë e tij, do dalë e plotë. Gjermanisht”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama.
Rama iu përgjigj deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me procesin gjyqësor të çelur në Gjermani, mbi publikimet e Bild.
“Artist, ti nuk zhgënjen kurrë, je njish! Je i pandehur për qindra mijëra euro ruse a dreqi e di ç’janë, të cilat po dreqi e di sa versione do sajosh deri në gjyq për t’i justifikuar dhe del e bilbilon për krimin që do paguaka avokatin gjerman për të luftuar lirinë e medias në Gjermani”, tha Rama.
Rama i kujtoi Bashës se politika është shah dhe jo kukamçefthi. “Se kuptove kurrë o njish që është shah politika, jo kukamçefthi, as topa luftash, po mos u mërzit! Gjyqi do bëhet në Gjermani, faturat do publikohen në Shqipëri dhe e vërteta për tërë atë çorbë të prishur që gatuat, për ta helmuar këtë vend e miqtë e tij, do dalë e plotë. Gjermanisht”, tha Rama/ATSH.