Nga e hëna, qeveria Haradinaj pritet të përballet edhe me një tjetër grevë. Kësaj radhe, janë shërbyesit civilë, të punësuar në Zyrën e kryeministrit, ata që kanë paralajmëruar grevë brenda objektit të ekzekutivit kosovar.
Rreth 50 shërbyes civilë thonë se janë diskriminuar me vendimin e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj për rritje të pagave. Ndonëse të njëjtit, siç raportoi KTV-ja një ditë më parë, u shpërblyen me nga 300 euro për fundvit, kërkojnë që paga e tyre të nivelohet përmes Ligjit për Pagat.
Pavarësisht se Zyra e kryeministrit ka premtuar se të mërkurën do të japin detajet e vendimit për t’i ndarë nga 300 euro për këta shërbyes civilë, një gjë të tillë nuk e kanë bërë, raporton televizioni KTV.
Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, e quan tentim për të blerë paqen sociale nga ana e kryeministrit, dhënien e 300 eurove për secilin shërbyes civil që nuk kishte pasur rritje të pagës.
Shërbyesit Civilë të departamenteve të ndryshme të Zyrës së kryeministrit, në shtator të vitit të kaluar, kishin hyrë në grevë disa ditë, duke kërkuar rritje të pagave. /©Kabllogrami/