Akil Gjakova që të shtunën në Budapest i ngjante Akilit në luftën e Trojës, është dëshmia më e mirë se puna serioze dhe e pa epur e mjeshtrit Driton Kuka me stafin e tij, po jep rezultatet e veta kulmore, dhe pse jo, me një përkushtim e punë të tillë në ҫdo lëmi, jo vetëm në sport, do ishim në krye të Evropës e Botës, apo të paktën aty rreth kreut duke imponuar respekt, shkruan Kabllogrami.
Suksesi i fundit i Gjakovës në turneun Grand Prix të xhudos në Budapest, është dëshmia më e mirë për ngritjen e tij në kategorinë deri në 73 kilogramë, kategori që llogaritet me konkurrencën më të madhe te meshkujt. Në Budapest morën pjesë 60 garues në kategorinë e tij.
Akil Gjakova, të shtunën e fitoi medaljen e artë që ishte e para dhe suksesi më i madh i tij për këtë vit. Ai dominoi plotësisht në kategorinë e tij, duke e mposhtur edhe legjendën e xhudos japoneze Masashi Ebinuma, që është kampion i trefishtë bote dhe ka edhe dy medalje të bronzta olimpike. Gjakova e mposhti Ebinuman në çerekfinale, kurse në finale ishte më i mirë se xhudisti nga Rusia, Georgii Elbakiev.
Prej Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit … që janë padyshim heroinat femra të kombit tonë, priten medalje në çdo garë që paraqiten, por na gëzon fakti që në këto prodhime të patentuara ‘par ekselans’ të Toni Kukës, dita-ditës po futet më në fund edhe një qenie e gjinisë mashkullore, siҫ është Akil Gjakova.
Lutemi që kjo seri kulmore e këtyre prodhimeve kualitative të vazhdojë, dhe jo vetëm në xhudo, por të jetë inspirim edhe për sportet tjera dhe jo vetëm, ku talentetët nuk mungojnë por nevojitet vetëm puna e duhur me brezat e rinj, në mënyrë që të jemi në krye të Evropës e Botës. E shihni që s’qenka edhe aq e pamundur të jemi aty. /©Kabllogrami/