Në turneun Grand Prix të Xhudos që u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit, për dallim nga tri xhudistet e tjera, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, xhudistja e re Loriana Kuka nuk llogaritej në mesin e pretendenteve për medalje. Por edhe Loriana të dielën konfirmoi dominimin e plotë të Kosovës duke rrëmbyer medaljen e artë, transmeton Kabllogrami
21-vjeçarja fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa Kosova përfundoi si vendi më i suksesshëm në garën ku morën pjesë mbi 300 xhudistë nga rreth 50 shtete të botës. Kosova mori pjesë me katër xhudiste në Grand Prix në Tashkent, ndërsa të gjitha u paraqitën në finale, raporton sot koha.net.
Tri prej tyre u shpallën kampione, ndërsa Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 57 kilogramë. Në ditën e parë të garave, të premten, medalje të arta fituan Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë.
Loriana akoma është e re dhe i duhet përvoja për të arritur në nivelin e Majlindës, Norës e Distrisë, por me punë e përkushtim dhe duke i pasur ato si shembull, ajo përditë po iu afrohet atyre. Suksesi i së dielës e dëshmon këtë. Ajo nuk ishte bartëse në kategorinë deri 78 kilogramë, por e dominoi atë. /©kabllogrami.com/