“Do liderë tanë duke ia qarë hallin Serbisë, të gjitha rrufetë e Zeusit ia kanë drejtuar shtetit tonë – Kosovës!”

Ish kryekuvendari Jakup Krasniqi vazhdon të jetë mjaft aktiv në rrjetet sociale. Së fundi në faqen e tij në rrjetin social Facebook ka lëshuar dy postime ku nuk mungon as filozofia popullore për të përshkruar absurdin e ca liderëve të vendit dhe ca figurave tjera publike që vazhdojnë t’ia qajnë hallin Serbisë, derisa për dëmtimin e rëndë që po ia bëjnë shtetit të tyre nuk çajnë kokën fare, përcjell Kabllogrami.

Krasniqi në njërin postim mes tjerash shkruan se: “E kam shumë të vështirë që sot pas 2o viteve të lirisë e 11 viteve të Pavarësisë që t’i kuptoj ata që po ia çajnë hallin Serbisë se Vuçiqit. Kjo është si ajo thënia: ‘Këmbësori po ia qan hallin kalorësit se po i rrinë këmbët varur!’ Ndërsa po ata janë të thirrur që t’ia qajnë hallin vendit e kombit të tyre që ua kanë ndërlikuar funksionimin përkatësisht jetën.

Duke ia qarë hallin Serbisë e jo shtetit që përfaqësojnë ia kanë arritur që gjitha rrufet e Zeusit të Madh t’ia drejtojnë shtetit tonë – Kosovës! Dhe kjo, sikur Kosova t’i kishte pas bërë të gjitha politikat e krimit e të gjenocidit në hapësirat e ish Federatës Jugosllave e jo Serbia e Vuçiqi me shokë shumë?!

Politikanë me mentalitet të tillë miop, mos ua pasha as armiqve! ! Se të tillët i kemi parë që sjellin vetëm fatkeqësi!

Derisa në një postim tjetër shërbehet me filozofi popullore për ta përshkruar këtë gjendje të nderë në të cilën na ka futur presidenti në detyrë i vendit me ca që i shkojnë pas, të cilët kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë rëndë interesat e shtetit të Kosovës.

Krasniqi mes tjerash në një postim tjetër shkruan duke u shërbyer me dy thënie filozofike që kanë buruar nga populli:

Në ketë rast do i theksoj dy thënie sa filozofike e po aq edhe emblematike të populli tonë, siç janë:

  1. “Qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë”!

Popullit tonë shpesh i është përsëritur kjo gjendje dhe në fund e ka përmbledhur në një fjali! Detyrimi për ta mbajtur në kujtesë e ka detyruar që ta ngjesh mirë e mirë në një fjali.

  1. “Nuk me erdhi keq prej ujqve që mi shqyen delet, por pse qetë tanë u bashkuan me ta”!

Kur nuk ka kush me ta ruajtur torishtën, demi është hazër! Pësimi bie mbi delet e urta!” ka përfunduar Krasniqi postimin e tij. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment