Sot u mbushën gjashtë vjet nga ratifikimi i marrëveshjes Thaçi-Daçiq, më 27 qershor 2013. Kuvendi i Kosovës atë ditë ishte i rrethuar e i mbushur me policë, kurse të nesërmen e këtij ratifikimi me 84 vota, Këshilli Evropian mori vendim për çeljen e negociatave për anëtarësim me Serbinë. U vërtetua ajo që thoshim ne: dialogu Kosovë-Serbi nuk ka për prioritet integrimin evropian të Kosovës por anëtarësimin e Serbisë në BE.
Pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje më 19 prill 2013 me Daçiqin në Bruksel, asokohe kryeministër, Thaçi deklaroi: “Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton. Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial.” Ndërkaq, në fjalimin e tij tha se: “Me këtë marrëveshje do të normalizojmë dhe funksionalizojmë gjendjen në vendin tonë. (…) Kosova përfundimisht me marrëveshjen e djeshme po hyn në epokën e normalitetit.”
Dialogu për normalizim nuk e ka normalizuar as dialogun. Sepse premisa ishte e gabueshme: të merremi vesh për të ardhmen e raporteve paçka se nuk pajtohemi as për faktet nga e kaluara.
Marrëveshja Thaçi-Daçiq edhe formoi Listën Serbe edhe përcaktoi 3 nëntorin 2013 për datë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ndërkaq, 27 qershori 2013 i ratifikimit të asaj marrëveshjeje e shpinte më tej kundërmocionin e PDK-së kundër reciprocitetit me Serbinë, të datës 20 janar 2012, duke betonuar raportin asimetrik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Shumëçka i mungonte asaj marrëveshjeje: transparenca në proces, përgatitja në tema, legjitimiteti në popull, llogaridhënia në Kuvend, kredibiliteti në ekip, autoriteti në udhëheqje…
Shumëçka i tepronte asaj marrëveshjeje: nga 15 pikat e saj, 6 të parat i kushtoheshin ekskluzivisht krijimit të ‘Zajednicës’.
Me pikën e parë themelohej Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe si dhe e drejta e vetos së saj për zgjerim.
Në pikën e dytë instalohej e drejta e vetos e këtij Asociacioni/Bashkësie për shpërbërje. Presidenti mund ta shpërbëjë Kuvendin por jo edhe këtë Asociacion/Bashkësi. Kryeministri njësoj, mund të shpërbëjë Qeverinë përmes dorëheqjes së tij, por ai nuk mund ta shpërbëjë edhe këtë Asociacion/Bashkësi.
Pika e tretë fliste për president, zëvendëspresident, kuvend dhe këshill, që do të thotë për organe të larta të entitetit autonom që e quanin Asociacion/Bashkësi.
Në pikën e katërt flitej për kompetenca në zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim urban e rural.
Pika e pestë krijonte mundësi për rritje kompetencash për Asociacionin/Bashkësinë, por jo edhe për zvogëlim të tyre.
Pika e gjashtë thoshte se Bashkësia/Asociacioni duhet të ketë një përfaqësues në autoritetet qendrore. Përfaqësuesi i këtillë bëhej personifikimi i vetos serbe.
27 qershori 2013 ishte ditë e zbaticës së madhe në shtetndërtimin demokratik të Kosovës.
Ata që kishin të drejtë duhet të drejtojnë.
©Kabllogrami