Sipas zyrtarëve të qeverisë, asnjë mall të vetëm inspektorët e tregut nuk kanë arritur ta gjejnë të kontrabanduar në tregun në Kosovë. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, thotë se tregu është i pastër nga kontrabanda. E, kontrabandë të mallrave serbe, sipas ministrit të Tregtisë, nuk ka as në veri.
Por, shumë prej produkteve që shiten në dyqane nuk e kanë të vendosur vendin e saktë të origjinës, derisa shumica prej këtyre produkteve përmbajnë vetëm datën e skadimit, por jo edhe atë të prodhimit, raporton televizioni KTV.
Një produkt sipas hulumtumit të LVV-së, që mban barkodin e Bosnje Hercegovinës, sipas flamurit të kamufluar, figuron që vendi i origjinës së tij është nga Maqedonia.
Ndërsa, mielli Fellini, i cili e ka origjinën nga Serbia, në njërin nga dyqanet në Prishtinë nuk ka fare flamurin se nga cili shtet vjen, derisa çmimi i tij është i njëjti siç ishte para vendosjes së taksës.
Vetëvendosje këtë të hënë, përmes një konference, ngriti shqetësimin se kjo taksë nuk po zbatohet si duhet. Ata me ‘foto’ të artikujve serb ofruan fakte për dyshimet se atyre artikujve u është ndërruar vendi i origjinës – për të ardhur pa taksë në tregun kosovar, si dhe treguan afatet e skadencës për disa artikuj serb (të cilëve u mungonte data e prodhimit) që vënë dyshime serioze për kohën e hyrjes në Kosovë, nga koha e aplikimit të taksës.
Gjatë tre muajve të fundit që kur është vënë taksë ndaj produkteve serbe në Kosovë, janë importuar (zyrtarisht) rreth 670 mijë euro mallra kryesisht lëndë e parë e prodhimit, të cilave iu është aplikuar taksa prej 100%.
Nga Bosnje Hercegovina, gjithashtu, janë importuar (zyrtarisht) rreth 100 mijë euro mallra.Bazuar në këto të dhëna janë rreth 140 milionë euro më pak import nga Serbia që nga vënia e taksës.
Ndërsa, sa i përket mallrave kontrabandë, Dogana ka konfirmuar se deri më tani kanë arritur të identifikojnë tri maune me produkte ushqimore, të cilat ishin zënë në pjesën veriore.ktv /©Kabllogrami/