Kampionia në fuqi, Besa Famgas do të takohet me Prishtinën në derbin e xhiros së 22-të të Superligës A të Kosovës në hendboll, konkurrenca e meshkujve. Kjo ndeshje luhet nesër /të mërkurën/ me fillim në ora 18:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë, bën të ditur Kabllogrami.
Besa Famigas në fundjavë është kthyer në vendin e parë në tabelë, ndërsa po synon të vazhdojë dominimin shumëvjeҫar në hendbollin kosovar. Besa i ka 38 pikë, aq sa ka edhe Kastrioti i Ferizajt në vendin e dytë.
Kastrioti këtë edicion është rivali kryesor i Besës për titull, por një disfatë skuadrës pejane në vjeshtë ia ka shkaktuar Prishtina. Prishtina është e treta me 6 pikë më pak se dy kryesuesit e tabelës.
Edhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 22-të të Superligës A luhen të mërkurën. Nga ora 18:00 në Ferizaj takohen Kastrioti e Drita, kurse prej orës 20:00 luajnë Vushtrria e Vëllaznimi. /©Kabllogrami/