Delegacionet e Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, sot, ditë e enjte, po bisedojnë lidhur me tarifën prej 100% për mallrat e Bosnjes e Hercegovinës të cilën e ka vendosur Qeveria e Republikës së Kosovës dy muaj më parë, transmeton Kabllogrami.
Në takim, përveç zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë së Kosovës dhe asaj për Marrëdhënie Ekonomike të Bosnjës, po marrin pjesë edhe përfaqësues të CEFTA-s dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave të Shqipërisë, vend ky që kryeson CEFTA-n.
Me herët, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se Kosova kishte pranuar ftesën e Bosnjës për bisedime por, sipas saj, këto negociata nuk kanë të bëjnë me mundësinë e heqjes së tarifës për mallrat e Bosnjës nga ana e autoriteteve në Prishtinë.
“Nuk bëhet fjalë për diskutime lidhur me këtë çështje, pasi Kosova do të mbrojë arsyet e saja për vendosjen e tarifës. Kosova është e obliguar të respektojë këtë formë të komunikimit brenda CEFTA-s” pati deklaruar zëdhënësja Gashi.
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.
Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Mekanizmat ndërkombëtarë, si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar në vazhdimësi nga Kosova që të hiqet taksa.
Vendosjen e kësaj takse, mekanizmat ndërkombëtarë që së fundi janë rreshtuar duke mbajtur anën e gjenocidbërësve, e kanë konsideruar si shkelje e Marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi. /©Kabllogrami/