Deklarohet Kryeparlamentarja V. Osmani: Jam kategorikisht kundër çdo lloj ndryshimi territorial

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në një telekonferencë me akterë të ndryshëm politik dhe analistë, të organizuar nga Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut (ISHR), i cili është pjesë e Columbia University në ShBA.

“Unë jam kategorikisht kundër çdo lloj ndryshimi territorial. Në anën tjetër, sa i përket reciprocitetit – ky është një princip i cili ka një kuptim shumë të thjeshtë: është barazia. Çdo shtet i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës, bazuar në principin se Kosova është vend sovran, duhet të besojë në të njëjtën kohë në principin e barazisë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar zonja Osmani.

Në këtë telekonferencë është diskutuar për aspekte politike nga situata aktuale, siç është tarifa ndaj Serbisë, dialogu dhe reciprociteti.

Zonja Osmani ka bërë një vështrim retrospektiv të historisë së shtetit të Kosovës, që nga koha ku ajo ishte pjesë e dialogut me Serbinë që nga viti 2006, e deri përfshirja e BE-së dhe ShBA-së në këtë temë.

Sipas saj, dialogu më Serbinë, i nisur më 2010, nuk ka prodhuar rezultate, të cilat janë në frymën e shpalljes së Kosovës së pavarur.

“Mënyra se si dialogu është formësuar dhe udhëhequr, dhe ajo çfarë ka prodhuar ai, nuk kanë qenë në linjë me atë se çka kanë qenë synimet e atyre që e kanë shpallur pavarësinë, dhe sigurisht nuk ka qenë në linjë me konceptet rreth shpalljes së pavarësisë, e që është vullneti i popullit”, ka thënë Osmani.

“Pra, për një kohë të gjatë unë kam insistuar që ne duhet ta ndryshojmë atë mënyrë pasi që nëse ne vazhdojmë ashtu, do të përfundojmë duke e gjymtuar Kosovën jo vetëm në terma territorial por poashtu edhe në raport me sovranitetin e saj dhe kapacitetet e saj për tu zhvilluar dhe për të qëndruar në këmbë të saj si vend i pavarur dhe sovran”, ka thënë Osmani. Në këtë kontekst, zonja Osmani ka tërhequr vërejtjen për mungesën e principeve kyçe në dialog.

“Ajo çfarë ne kemi thënë vazhdimisht është që ne kthehemi në tavolinën e dialogut nëse 1) të dy palët trajtohen si të barabarta, dhe 2) çështjet që ndërlidhen me integritetin territorial, sovranitetin, dhe rregullin kushtetues, nuk diskutohen, pasi që, nëse e gjithë ajo vendoset në tavolinë, dhe përdoret për të arritur një kompromis, atëherë do të na dërgojë tek situata para shpalljes së pavarësisë, gjë që nuk do të ishte e pranueshme për qytetarët e Kosovës”, ka potencuar Osmani.

Më tej, zonja Osmani ka thënë se 33 marrëveshjet e nënshkruara, 90 për qind të tyre nuk janë zbatuar nga Serbia.

“Unë vij nga Mitrovica, dhe nëse shkon dhe flet me qytetarët aty, në cilëndo pjesë, veriore apo jugore, dhe i pyet ata se sa shumë kanë ndikuar këto marrëveshje në jetën e tyre, ju do të merrni shumë pak përgjigje pozitive nga ta”, ka thënë Osmani.

Për këtë shkak, ajo ka thënë se dialogu ka nevojë për parime udhëheqëse që bazohen në stabilitetin e regjionit.

“Ne e dimë se kjo çështje do të hapë kutinë e Pandorës dhe tani ka shumë zëra të ndryshëm të cilët po thonë se ne nuk do ta ndajmë krejt territorin deri tek pjesa e urës së Lumit të Ibrit, por do ta ndajmë diku tjetër më lartë, ne veç do të marrim disa pjesë të Leposaviçit dhe Zubin Potokut, por e gjithë kjo është e njëjtë pasi që ju po e hapni kutinë. Dhe kur e hapë atë, ju kurrë s’mund ta dini se ku përfundon”, ka thënë Osmani.

@Kabllogrami

 

 

 

Comments (0)
Add Comment