Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka pranuar ta dekretojë të riun nga Prishtina, Gent Cakajn, kryediplomat të Shqipërisë. Meta e ka quajtur Cakajn të papërvojë, ndërsa në arsyetimin e mosdekretimit ka përmendur edhe deklaratat e tij pro korrigjimit të kufijve të Kosovës, gjë që ka bërë që presidenti shqiptar ta vlerësojë si të papërgjegjshëm për një post të tillë. Këtë qasje të Cakajt, Meta e ka konsideruar si destruktive dhe të rrezikshme.
Meta, në letrën e tij, i ka shpjeguar Edi Ramës pse e refuzoi emërimin e Cakajt, ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme.
Sipas Metës, Cakaj në angazhimin e tij si zëvendësministër i së njëjtës ministri ka treguar mungesë përvoje.
Tutje, qëndrimi i Cakajt për temën e korrigjimit të kufijve të Kosovës është marrë nga Meta si papërgjegjshmëri dhe arsye e fortë për mosdekretim të tij.
“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme”, thuhet në letër të Metës, përcjell Kabllogrami.
Këtë qasje të Cakajt, Meta e ka konsideruar si destruktive dhe të rrezikshme. Prandaj, ai ka refuzuar që të dekretojë të riun nga Kosova si kryediplomat të Shqipërisë.
Gent Cakaj ishte fillimisht këshilltar i Kryeministrit Rama, me shumë gjasa pas kumbarisë së sekserit veri-jug, Baton Haxhiut, dhe më pas zv/ministër i jashtëm.
Nga ana tjetër, Meta akoma nuk e ka dekretuar as shkarkimin e Bushatit. /©Kabllogrami/