Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka dhënë komentet e tij për platformën e dialogut me Serbinë, ku ka potencuar se mungon parimi i panegociueshëm që duhet të jetë pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës.
“Pikë së pari pyetja kryesore e cila duhet të na udhëheqë sot është, se a ka unitet për integritet territorial të Kosovës. Nëse votohet platforma do të thotë se Kosova e ka mbyllur. A ka nevojë për taksë a jo, nuk mundesh ti me votuar platformë dhe me mbet në pozicion të njëjtë. Në ligj thuhet platforma për dialogun. Platforma në lexim të parë duket shumë e mirë, në të dytën i vëren gabimet” ka thënë deputeti Ilir Deda.
Këto komente deputeti Deda i bëri sot në seancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me platformën për dialogun me Serbinë.
Ai më tej ka thënë se “Mungon baza e platformës, baza e platformës është parimi i panegociueshëm. Të shkruhet parim i panegociueshëm duhet të jetë pavarësia, integriteti territorial i Kosovës. Me këto parime ndërrohen parimet e tjera që janë në dokument. Duhet të shtohet fjala integriteti territorial. Sovraniteti në veri është a po funksionon shteti jonë. Me çfarë parimi do të bëhet demarkacioni me Serbinë, këtu nuk përmendet ajo”. /©Kabllogrami/