Shefi i diplomacisë serbe, siç raporton Tanjugu, duke folur për “TV Prva”, tha se qëndrimi i Haradinajt është parë edhe gjatë takimit të fundit në Berlin, kurse vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi, Daçiq e sheh si një mesazh të mirë për Kosovën, “për vetë faktin se ai vjen në Beograd e nuk shkon në Prishtinë”.
“E shoh se sa Haradinaj respekton rolin e Francës. Ata [udhëheqësit e Kosovës] më nuk e dinë ku godasin”, ka thënë Daçiq, përcjell Telegrafi.
Më tej Daçiq në stilin e tij tashmë të njohur ‘rrugaqesk’ ka treguar se si është sjellë Haradinaj në takimin e Berlinit, duke thënë se “ai ka nënçmuar kancelaren Merkel dhe presidentin Macron”.
“Ata në një moment i thanë: ‘Shfuqizojeni taksën, kurse ne do të sigurojmë që t’ju hiqen vizat’, kurse Haradinaj tha: ‘Kush do ta na garantojë këtë?’”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se “Haradinaj me këtë ka treguar se Macron dhe Merkel për Prishtinën nuk janë kurrfarë garancie”.
Daçiq vlerësoi se Haradinaj nuk do të sillej në atë mënyrë sikur të mos kishte dikë pas shpine, dhe shtoi se çështja është se kush vërtetë dëshiron të arrihet përparim në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Le të fillojmë së pari që sërish të negociojmë e jo që Prishtina të inkurajohet që vazhdimisht të kryejë disa akte të njëanshme”, tha Daçiq.
Në pritjen në Ambasadën franceze në Prishtinë, me rastin e Ditës së Rënies së Bastijës, kryeministri i Kosovës Haradinaj tha se roli i Francës në arritjen e një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës po rritet dhe i bëri thirrje Macron të angazhohet edhe më shumë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju falënderuar për këtë dhe i bëj thirrje presidentit francez të angazhohet më shumë në adresimin e kësaj çështjeje. Ajo që nevojitet tani është gjetja e një kuadri për njohjen reciproke të kufijve ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që është thelbësore për dialog të mëtejshëm”, ka thënë Haradinaj. /©Kabllogrami/