Çudirat e Ligës së Kampionëve – Pas Ajaxit mbrëmë edhe Man.Utd shpreson rikthimin e ‘pamundur’

Mbrëmë në stadiumin ‘Santigao Bernabeu’ në Madrid ndodhi ajo që e bënë futbollin, sportin më të adhuruar në botë. Ndonëse Real Madridi tre herë me rradhë fitues i Ligës së Kampionëve dhe me fitore në Amsterdam nga ndeshja e parë (1:2) e konsideronte rutinë kualifikimin tutje, ndodhi befasia apo për disa adhurues të paanshëm të futbollit të bukur, ndodhi mrekullia, kur djemtë e rinjë të Ajaxit pa kurrëfarë kompleksi inferioriteti, me futboll praktik e të bukur për sy, eliminuan Realin me rezultat 1:4.

Reali kishte hyrë në lojë i pamotivuar dhe me nënçmim për rivalët duke e parë të lehtë këtë ndeshje, por në minutën e 7-të, Ziyech shënoi pas një asisti të Dushan Tadiq që pa dyshim ishte lojtari më i mirë i ndeshjes së mbrëmshme. Përsëri me asistim të Tadiq, Nerez dyfishoi epërsinë për Ajaxin në minutëm e 18-të. Kjo rrjedhë e lojës filloi t’i brengosë tifozët e Realit, për më tepër pasi lojtarët e tyre s’po mund assesi të kapnin ritmin.

Në pjesën e dytë kur pritej rikthim i Realit, në minutën e 62-të Dushan Tadiq shënoi gol të bukur për t’i shokuar madrilenët. Tetë minuta më vonë Asensio i Realit ngushtoi rezultatin në 1:3 dhe kur pritej furia e Realit, vetëm dy minuta pa golit të Asensios,  Ajaxi shënoi golin e katërt me Schoene (min. 72) nga një goditje dënimi, pas një fauli të bërë ndaj Tadiq, që vulosi kualifikimin e tyre.

Mbrëmë, në ndeshjen tjetër, Totenhami eliminoi Dortmundin vendas, duke fituar sërish 0:1, derisa ndeshja e parë në Londër përfundoi 3:0 për anglezët.

Ndërsa sonte në Paris, PSG e pret Man.Utd, dhe Porto e pret Romën, në ndeshjet e kthimit që fillojnë në ora 21:00.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se skuadra e tij mund të bëjë një rikthim sensacional dhe të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, sikurse Ajaxi dje. Ndeshjen e parë në shtëpi, Unitedi e humbi me shifrat 2:0.

“Ne na duhet të shënojmë golin e parë dhe të qëndrojmë në lojë. Na duhet një plan i mirë. Të gjithë e dinë se mund të bëjmë kthimin, e kemi bërë më herët. Vitin e kaluar Juventusi kishte humbur 3:0 ndaj Real Madridit në ndeshjen e parë dhe më pas kryesoi 3:0 në ndeshjen e kthimit. Parisi humbi ndaj Barcelonës me një rikthim të tillë. Ka shumë skuadra që mund të ndryshojnë rezultatin. Bërja e historisë nuk është motivim, por kualifikimi”, ka thënë Solskjaer në konferencë për media të martën. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment