City fiton si mysafir pas dy humbjeve rresht, fiton edhe Chelsea me vështirësi

Të dielën janë zhvilluar katër duelet e mbetura të javës së 20-të në Premier Ligën Angleze. Pas dy humbjeve radhazi Manchester City më në fund ka arritur të gjejë rrugën e fitores duke mposhtur Southamptonin me rezultat prej 1:3, raporton Kabllogrami.

David Silva kaloi Cityn në epërsi në minutën e dhjetë të takimit pas asistimit nga Bernardo Silva. Vendasit u kundërpërgjigjën duke barazuar shifrat në minutën e 37 përmes Hojbjergut.

Megjithatë, City riktheu sërish epërsinë, të cilën edhe e dyfishoi, në fund të pjesës së parë. Një autogol nga Ward-Prowse i dha epërsinë Cityt në minutën e 45, kurse në minutën e 45+3 Aguero e dyfishoi epërsinë e kampionit anglez.

Pas kësaj fitore City rimerr vendin e dytë me 47 pikë, pas Liverpoolit që prinë me 54 pikë. Derisa në vendin e 17 Southamptoni ka 15 pikë.

Edhe Chelsea fitoi por me vështirësi si mysafir i Crystal Palace me rezultat  0:1, me golin e Kante në minutën e 51 të takimit. Tash Chelsea mban pozitën e katërt në tabelë me 43 pikë, pesë më shumë se Arsenali në vendin e pestë në tabelë.

Derisa Burnley kundër West Ham fitoi me rezultat 2:0, në ndeshjen tjetër të ditës së diel. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment