Krimineli Ivica Daçiq, i cili në vend të vuajtjes së dënimit që do të duhej ta merrte me Aktgjykim të prerë nga Tribunali i Hagës, sot fatkeqësisht (sidomos për vet popullin serb) e mban pozitën e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, ka deklaruar se ndjehet i befasuar me deklaratat e ekspertit të SHBA-ve për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, i cili e kishte quajtur si “jo të mençur” thirrjen e Daçiqit për serbët që jetojnë në SHBA që ta votojnë eksluzivisht Donald Trump-in.
Daçiq në stilin e tij plot pështjellime, s’ka mundur sërish pa i përmendur edhe shqiptarët (që si duket ju kanë bërë lak rreth qafës së tij fashiste), duke thënë se është befasuar që Serwer “kërkon për serbët që jetojnë në SHBA, të jenë të privuar nga e drejta që gëzojnë shqiptarët atje”. Pra, me këtë krahasim aspak të qëlluar, ka bastardhuar vet thelbin e replikës së vet.
Duke komentuar këtë deklaratë të Daҫiqit, njohësi i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Bogaj shprehet se: “Natyrisht se Serwer s’ka thënë kështu, por pështjellimet e nxjerra nga konteksti e kanë bërë të njohut tashmë botërisht udhëheqjen gjenocidiale të shtetit serb, që fatkeqësisht s’dallon fare nga koha e Millosheviqit, për më tepër me raste tenton të paraqitet edhe më agresive”.
Dhe për Daҫiqin s’bën pa u ndalur aty ku i dhemb më së shumti – te bombardimet e vitit 1999 të cilat si duket përnatë i sheh edhe në ëndërr. “Si e trajtuan demokratët gjatë dinastisë së Klintonit popullin tonë, si ndiheshim ne në lëkurën tonë në vitin 1999. Ata zgjodhën ta bënin Serbinë armikun e tyre, jo ne”, tha Daçiç për Novosti duke iu përgjigjur deklaratave të Serwer.
Ndërkaq, shkak i kësaj ‘budallakie foshnjarake’ të Daҫiqit’ ishte kur Serwer, në një intervistë ditë më parë tha se “Daçiç mendon se ka miq në administratën aktuale dhe dëshiron t’i mbështesë ata. Por gjithçka që ai ka arritur është që të armiqësojë demokratët, pra që të sigurojë që kushdo që është presidenti i ardhshëm i SHBA-ve nga Demokratët tani e konsideron Daçiqin, dhe ndoshta edhe shtetin e Serbisë, një armik”. /©Kabllogrami/