Britanikët kategorik kundër ndryshimit të kufijve por i kërkojnë Haradinajt ta pezullojë taksën

Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe kërkon që Qeveria e Republikës të pezullojë taksën e vendosur në muajin nëntor të vitit të kaluar, për produktet serbe, në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen dialogut të Brukselit. Megjithatë ata nuk mbështesin një marrëveshje që mund të bazohet në korrigjim të kufijve, pasi druajnë se acaron sigurinë e rajonit dhe mund të keqpërdoret nga një palë e tretë.

Sipas tyre është shumë e rëndësishme që Prishtina zyrtare të shfrytëzojë momentin e krijuar për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, pasi konsiderojnë se një gjë e tillë është në interesin e Republikës së Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme, Jeremy Hunt, thotë që palët duhet të ulin tensionet dhe të ecin përpara drejt tavolinës së bisedimeve.

Britanikët mbështesin dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe sipas tyre një marrëveshje finale e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të ketë mbështetjen e gjithmbarshme popullore si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi.

“Qeveria (britanike) vazhdon ta mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja nga këndvështrimi i një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që ka mbështetjen e brendshme popullore në Kosovë dhe në Serbi” ka thënë zëdhënësja e Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme.

Sa i përket korrigjimit të kufijve ata janë të vendosur. Për Britaninë e Madhe çfarëdo marrëveshje e cila bazohet në ndryshim të kufijve rrezikon të gjithë stabilitetin e rajonit të Ballkanit.

“Ne besojmë se marrëveshja e dialogut që mbështetet në ndryshim të kufijve e rrezikon stabilitetin në Kosovë, Serbi dhe më gjerë, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni Veriore. Ndryshimet e kufirit gjithashtu do të paraqisnin rrezik për krijimin e një precedenti që do të mund të shfrytëzohej në mënyrë destruktive nga palët e treta në rajon dhe në vende tjera ”, ka përfunduar për Gazetën Express zëdhënësja e Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme, Jeremy Hunt.

Kundër idesë së korrigjimit dje ka folur edhe Ministri për Evropën i Britanisë së Madhe, Alan Duncan. Sipas tij një ide e tillë është e rrezikshme që cenon sigurinë e Ballkanit. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment