Botërori i Basketit: Serbët bien përtokë, dihen dy gjysmëfinalistët e parë

Argjentina ka luajtur një lojë brilante për të mposhtur Serbinë në çerekfinale të Botërorit të basketbollit që po mbahet në Kinë, duke arritur kështu për herë të parë në 13 vjet në gjysmëfinale. Ndërkohë Serbia, një nga favoritet, ngel duarthatë duke mbetur jashtë zonës së medaljeve këtë kampionat që po zhvillohet në Kinë, transmeton Kabllogrami.

Gjysmëfinalisti tjetër është Spanja e cila të martën (mbrëmë) e mposhti Poloninë me rezultat 90:78. Ky duel gjatë gjithë kohës dukej i barabartë, por gjithnjë me një epërsi të lehtë të spanjollëve në fund të ҫdo ҫereku që në fund solli diferencën e mjaftueshme për fitore të sigurtë prej 12 pikëve.

Ҫereku i parë përfundoi 4 pikë para në të mirë të spanjollëve 22:18, i dyti 24:23, i treti 21:17 dhe ҫereku I fundit 23:20 për spanjollët.

Ndeshja tjetër e luajtur të martën ka përfunduar me fitore dramatike 97:87 të Argjentinës kundër Serbisë që ishte rival i favorizuar në letër e bastore. Facundo Campazzo ishte ajo vetëtimë që i duhej Argjentinës, duke shënuar 18 pikë e 12 asistime, transmeton Koha Ditore.

Luis Scola realizoi 20 pikë, ndërsa edhe lojtarët rezervistë sërish dhanë kontribut të madh në triumfin e Argjentinës. Patricio Garino shënoi 15 pikë, Gabriel Deckj 13 dhe Luca Vildoza pati një pjesë të parë të madhe duke shënuar 11 pikë në 15 minuta.

“Ne kemi besuar në fitore. Kemi një skuadër të madhe dhe kemi energji të madhe. Mënyra se si kemi luajtur sot është shembull se çfarë duam të bëjmë gjatë viteve. Ne nuk ishim të frikësuar. Ne kemi luajtur fort. Ne kemi lojtarë të shkëlqyer”, ka thënë Garino.

Bogdan Bogdanoviq me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë te Serbia.

Argjentina ka vazhduar të mbetet pa humbje në këtë Botëror. Ndërkohë humbësit Serbia e Polonia do të vazhdojnë garën për pozitat nga 5 deri në 8.

Dy ҫerekfinalet e mbetura zhvillohen sot. SHBA kundër Francës që nis në ora 13:00 dhe pritet të jetë finale para finales, dhe Australia kundër Ҫekisë që nis në ora 15:00. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment