Boris Johnson pritet t’i refuzojë ofertat për shtyrje të Brexitit

Kryeministri britanik, Boris Johnson do t’i thotë presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker se Mbretëria e Bashkuar nuk është e përgatitur për të shtyrë datën e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian përtej 31 tetorit.

Takimi, që do të zhvillohet sot, të hënën, në Luksemburg, është i pari në mes të dy liderëve, prej kur Johnson ka fituar pozitën e kryeministrit britanik në muajin korrik.

Një burim qeveritar në Britani ka thënë se Johnson pritet të deklarojë se dëshiron të arrijë marrëveshje deri më 18 tetor, pas samitit të Bashkimit Evropian, përcjell rel.

Mirëpo nëse një gjë e tillë nuk është e mundshme, ai “do të kundërshtojë secilën ofertë për shtyrje” dhe Britania do të largohet pa marrëveshje.

Ditë më parë ligjvënësit britanikë kanë miratuar një ligj që detyron kryeministrin t’i kërkojë bllokut evropian shtyrje të afatit të fundit për Brexit, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje deri më 19 tetor.

Në një shkrim në të përditshmen, Daily Telegraph, ai ka thënë të hënën se një numër i madh i deputetëve janë “duke tentuar të shkatërrojnë Brexitin”. Ai ka thënë se beson që mund të arrijë marrëveshje me BE-në brenda javësh dhe se është duke punuar në atë drejtim.

“Nëse ne arrijmë përparim të mjaftueshëm në ditët në vijim, unë synoj të shkoj në atë samit të rëndësishëm dhe të arrij marrëveshje që mbron interesat e biznesve dhe të qytetarëve në të dyja anët e kufirit të Irlandës”, ka thënë Johnson.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

©Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment