Kompania Boeing ka prezantuar aeroplanin e ri me kapacitet të jashtëzakonshëm dhe me një shtrirje të gjerë krahësh, por që do të jetë edhe i përshtatshëm për portat e rregullta të aeroporteve, njofton Kabllogrami
Aeroplani i ri i saj, Boeing 777X, ka krahë të palosshëm. Prototipi iu prezantua botës pak ditë më parë gjatë një transmetimi “live” nga fabrika e Boeing-ut në Uashington, ku ai është ndërtuar.
Mjeti fluturues është i pari i gjeneratës së re dhe kur ai të nisë fluturimet do të jetë aeroplani më i madh në botë me dy motorë. Kur ai të përfundojë do të ketë shtrirjen më të madhe të krahëve, krahasuar me të gjithë aeroplanët e dalë nga fabrika 102-vjeçare, shkruan tch.
Krahët i japin aeroplanit fuqi shtesë shtytjeje, çka ndihmon në kursimin e 12% të karburantit, krahasuar me Airbus 350. Krahët e palosshëm janë parë më herët edhe tek aeroplanët ushtarakë, por tek ata komercialë kjo është një risi.
Dhe në fakt, Administrata Federale e Aviacionit në SHBA duhet të hartojë rregullore të reja për këtë. Me një kapacitet prej 350 deri në 425 pasagjerë, aeroplani pritet të debutojë në 2020, me fluturimet testuese që do të nisin vitin e ardhshëm.
Madje janë disa nga kompanitë ajrore që i kanë bërë tashmë porositë, mes tyre Emirates, All Nippon Airways dhe Lufthansa. /©kabllogrami.com/