BE-ja thotë se Kosova nuk e ka mbështetjen e tyre për Ushtrinë

Ministrat e Jashtëm të BE-së të hënën janë mbledhur për të diskutuar, mes tjerash, edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Kabllogrami.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ka thënë për TASR se formimi i ushtrisë së Kosovës është më shumë kompetencë e NATO-s, por tha se edhe BE-ja kërkon që kjo çështje duhet të jetë vetëm në pajtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Në lidhje me krijimin e Ushtrisë së Kosovës, kjo është më shumë kompetencë e NATO-s. Në të njëjtën kohë”, thotë ai, “edhe BE-ja është e qartë në këtë çështje – se ajo duhet të bëhet vetëm në pajtim me kushtetutën dhe ligjet dhe duhet të ketë mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, gjë të cilën Kosova momentalisht nuk e ka”.

“Sllovakia mbështet përpjekjet për reforma dhe negociatat për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në pajtim me perspektivën e tyre evropiane. Fatkeqësish, rajoni ende ka potencial për tensione dhe stagnime, dhe për këtë BE-ja duhet të vazhdojë të jetë e përkushtuar fuqishëm”, ka thёnё shefi i diplomacisë sllovake, transmeton Koha.net.

Lajçak tha se ministrat e Jashtëm të BE-së kanë theksuar rolin kyç dhe të pazëvendësueshëm të BE-së në transformimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se është qenësore që të gjitha vendet e rajonit të vazhdojnë me procesin e reformave. Por, Lajçak sikur po harron obstrukcionet e pandёrprera qё Serbia po ia bёn Kosovёs, e ndihmuar jo pak edhe nga eksponentёt destruktivё nga vet BE-ja.

Kujtojmë se seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku do të votohet për transformimin e FSK-së në Ushtri, do të mbahet të premten, më 14. 12. 2018, në orën 10:00. Ndërkaq, Ceremonia në Ministrinë e FSK-së do të mbahet po atё ditё në orën 17:00.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment