Forcat e policisë speciale në Bosnjë dhe Hercegovinë i kanë shpërndarë mbrëmë protestuesit serbë që po e kërkojnë shkarkimin e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Dragan Lukaq, për shkak të vdekjes së studentit David Dragiçeviq. Protestat gjithnjë po masovizohen dhe janë të drejtuara edhe kundër liderit serb të ashtuquajturës ‘Republika Srpska’, Milorad Dodik i njohur për retorikën e tij fashiste dhe lidhjet e ngushta me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, transmeton Kabllogrami.
Numri i protestuesve serb që po protestojnë në Banja Llukë, kryeqytetin e të ashtuquajturës “Republika Srpska” po rritet gjithnjë e më shumë. Sipas ‘Antena M’ numri i protestuesve ka kaluar shifrën 40.000 mijë. Mijëra protestues u mblodhën të dielën për ta akuzuar ministrin Lukaq dhe zyrtarët policorë për fshehjen e së vërtetës për vrasjen e studentit serb 21-vjeçar. Gjatë marshit të tyre, protestuesit nuk e lejuan mbajtjen e një koncerti të muzikës folklorike, duke i detyruar organizatorët që ta anulojnë atë. Policia i arrestoi disa persona në protestën që u mbajt në Banja Lukë.
Babai i studentit është duke protestuar për nëntë muaj me radhë që nga vdekja e dyshimtë e djalit të tij në mars të këtij viti. Trupi i djalit ishte gjetur gjashtë ditë pasi ishte shpallur i zhdukur. Përpjekja e babait për ta zbuluar të vërtetën ka gjetur mbështetje edhe nga popullsia lokale, të cilët po protestojnë edhe kundër korrupsionit dhe sundimit të dobët të ligjit. Protesta të vogla solidarizuese për vdekjen e djaloshit janë mbajtur javën e kaluar edhe në Kroaci dhe Serbi.
Fillimisht, policia kishte deklaruar se Davidi e ka vrarë veten, por më vonë nuk e kishte përjashtuar mundësinë që ai të jetë vrarë nga dikush. Në anën tjetër, ekipi i prokurorëve nuk ka gjetur dëshmi për vrasje. Protestuesit po e vlerësojnë si të dyshimtë kohën e gjatë të hetimeve dhe mungesën e rezultateve për këtë rast, shkruan “The Guardian”. /©Kabllogrami/