AP: Pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, Serbia po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake

Pas formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe reagimeve të ashpra të Serbisë, “Associated Press” ka publikuar një artikull rreth kësaj çështje duke i dhёnё zё propagandёs serbe tё kёrcёnimeve e vajtimeve si dhe gёnjeshtrave, njejtё si nё kohёn e Millosheviqit, shkruan Kabllogrami.

Siç raporton “AP”, Serbia është duke shqyrtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë pasi Kuvendi i Kosovës njëzëri miratoi formimin e ushtrisë.

Beogradi e ka quajtur “kërcënimin më të drejtpërdrejtë të paqes dhe stabiliteti të rajonit”, ndërsa në anën tjetër shefi i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka thënë së formimi i ushtrisë po bëhet në një kohë të papërshtatshme, duke bërë kështu thirrje për dialog.

Votimi i ushtrisë u arrit me 107 vota për dhe asnjë kundër, ku deputetët votuan tri ligje, me të cilat parashihet rritja e numrit të pjesëtarëve, themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes si dhe ndryshimi i detyrave dhe misionit të FSK-së. Deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës e kanë bojkotuar votimin, duke mos u shfaqur fare në sallë.

Sipas të përditshmes angleze, Serbia këmbëngul se ushtria e Kosovës shkel rezolutën e Kombeve të Bashkuara që i dha fund luftës në Kosovë. Serbia ka kërcënuar se mund të përgjigjet me ndërhyrje ushtarake, ndërkaq në anën tjetër kryeministrja serbe Ana Brnabiq, ditë më parë pati deklaruar se “një opsion i tillë është në tavolinë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar sot trupat serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën. Nikolla Selakoviq, këshilltar i presidentit serb, ka deklaruar se Serbia mund t’i dërgojë forcat e armatosura apo ta shpallë Kosovën territor të pushtuar. Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia do të kërkojë mbledhje urgjente në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

Në anën tjetër në pjesën veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë se ushtria e re “është e papranueshme” dhe “tregon qartë që Prishtina nuk dëshiron paqe”. Madje siç raporton “AP”, Rakiq u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë të tregohen të matur dhe të mos i përgjigjen provokimeve.

Si kundërpërgjigje ndaj formimit të Ushtrisë së Kosovës, serbët në pjesën veriore të Mitrovicës kanë vendosur flamuj të Serbisë nëpër rrugë dhe tarraca të apartamenteve, e në anën tjetër paqeruajtësit e NATO-së janë vendosur në urën që ndan qytetin e Mitrovicës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, ka dënuar veprimin e autoriteteve kosovare, duke pretenduar se ushtria duhet të shpërbëhet.

Megjithatë, “AP” shkruan se çfarëdo intervenimi ushtarak i Serbisë në Kosovë do të nënkuptonte konfrontim të drejtpërdrejtë me paqeruajtësit e NATO-së, përfshirë ushtarët amerikanë të stacionuar në Kosovë që nga viti 1999. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment