Anketa qё e nxjerr Albinin kryeministёr

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka prezantuar në një konferencë për media rezultatet e anketës së realizuar në periudhën 11 – 18 dhjetor 2018 nga UBO Consulting. Sipas kësaj ankete, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin tani, Vetëvendosja do të merrte 22.6% të votave kurse LDK 27.1%. Ndёrsa, sipas kёsaj ankete LVV dhe LDK bashkё do tё kishin 56 ulёse nё Kuvend, transmeton Kabllogrami.

Po të përkthehej në ulëse në parlament, i bie që LVV dhe LDK do të merrnin bashkë 56 ulëse, në raport me 44 ulёse për subjektet e tjera politike, hiç vendet e rezervuara.

Ndërkaq, sipas anketës kandidati më i përshtatshëm për Kryeministër është Albin Kurti. Sipas rezultateve të prezantuara nga nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, 19.7% e të anketuarve preferojnë Kurtin për kryeministër, i cili pasohet nga Kadri Veseli me 15.8%, Ramush Haradinaj me 14.9% dhe Isa Mustafa me 13.2%.

Pasojnë Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Mimoza Kusari dhe Behgjet Pacolli që radhiten të fundit me 4.4%, 4.3%, 2.3%, dhe 1.4 %. “Kjo është me rëndësi që të shihet se sa është numri i atyre qytetarëve që nuk e mbështesin mënyrën se si po udhëhiqet dialogu tani dhe nuk e mbështesin as ekipin negociator. Personat që e përbëjnë këtë ekip kanë më pak se nga 5 përqind”, ka thënë Bislimi.

Bislimi duke thënë se ata (ekipi negociator “i unitetit”) nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën u shpreh për ta si ‘ekip uniteti rreth korrupsionit’ apo ‘Grupi i sfidës për kalimin e pragut zgjedhor’.

“Në përgjigjen e anketave për kandidatin më të përshtatshëm për kryeministër, Albini është duke prirë në vazhdimësi që prej muajit mars. Rezultatet e anketës janë edhe përgjigja më e mirë për kryetarin e PDK-së Kadri Veselin i cili ka deklaruar se dy partitë më të mëdha po i frikohen zgjedhjeve. PDK-së mund t’i leverdisin zgjedhjet që ta ndalë rënien e saj meqë shënon rezultatin më të dobët që nga viti 2008. Votat që po humbin nga PDK, janë duke shkuar tek AAK-ja dhe NISMA dhe problemet e koalicionit po e shtyjnë Kadri Veselin të bëjnë deklarata të pamatura”, tha tutje Bislimi.

Bislimi, tha se Kadri Veselit mund t’i njihet një kredit kur thotë se LV-së nuk i leverdisin zgjedhjet.

“Në fakt, LVV është duke u rritur vazhdimisht dhe është në rrugë shumë të mirë për t’u bërë subjekti i parë politik. Por, LVV nuk bën kalkulime për interesa vetanake dhe jemi shumë të interesuar që sa më parë të ndërpritet kjo keqqeverisje dhe të shkojmë në zgjedhje”, tha ai. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment